20 maj është Dita Botërore e Metrologjisë, që daton me nënshkrimin e Traktatit të Metrit në vitin 1875 në Paris, i cili mbështet zbulimet shkencore dhe inovacionin, prodhimin industrial dhe tregtinë ndërkombëtare, si dhe përmirësimin e cilësisë së jetës dhe mbrojtjen e mjedisit global.
Shqipëria i është bashkuar nismës botërore me temë ‘’Matja për tregtinë globale’’, nëpërmjet së cilës sigurohet që të realizohet tregti e ndershme dhe produktet të plotësojnë standardet për konsumatorët.
Në mbarë botën, institutet kombëtare të metrologjisë vazhdojnë ta çojnë përpara shkencën e matjes duke zhvilluar dhe verifikuar teknika të reja matëse në nivelin më të lartë. Ata ofrojnë sigurinë dhe besimin e nevojshëm që matjet janë të sakta, sigurojnë bazë të shëndoshë për tregtinë globale sot dhe na ndihmojnë të përgatitemi për sfidat e së ardhmes.
Institutet kombëtare të metrologjisë marrin pjesë në krahasimet ndërlaboratorike të matjeve të koordinuara nga Byroja Ndërkombëtare e Peshave dhe Matjeve (Bureau International des Poids et Mesures – BIPM) për të siguruar besueshmërinë e rezultateve të matjes në mbarë botën.
Organizata Ndërkombëtare e Metrologjisë Ligjore (OIML) harton Rekomandime Ndërkombëtare, të cilat synojnë të mbështesin dhe harmonizojnë kërkesat në të gjithë botën në shumë fusha. OIML gjithashtu drejton Sistemin e Certifikimit të OIML – së (OIML-CS) i cili lehtëson pranimin ndërkombëtar dhe tregtinë globale të instrumenteve matës ligjërisht të kontrolluar.
Dita Botërore e Metrologjisë feston kontributin e të gjithë njerëzve që punojnë në organizata ndërqeveritare dhe institucione metrologjike kombëtare.
Gëzuar Ditën Botërore të Metrologjisë!
Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë