Misioni i Drejtorisë së Metrologjisë Ligjore është të mbrojë qytetarët nga matjet e pasakta nëpërmjet kontrollit metrologjik ligjor të instrumenteve matëse në fushat e transaksioneve ekonomike, mbrojtjen e ambientit, mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë teknike.
Drejtoria e Metrologjisë Ligjore, në nivel kombëtar, është e organizuar në 4 Sektorë Shërbimi si vijon:
- Sektori i Shërbimeve nr.1, i cili ushtron aktivitetin e tij në qarqet Tiranë, Durrës dhe Elbasan.
- Sektori i Shërbimeve nr. 2, i cili ushtron aktivitetin e tij në qarqet Fier, Berat, Vlorë, Sarandë dhe Delvinë.
- Sektori i Shërbimeve nr. 3, i cili ushtron aktivitetin e tij në qarqet Shkodër, Lezhë, Kukës dhe Dibër.
- Sektori i Shërbimeve nr. 4, i cili ushtron aktivitetin e tij në qarqet Korçë dhe Gjirokastër.
Shërbimet metrologjike që ofron DML-ja:
- Njohje miratim tipi e instrumentëve matëse ligjerisht të kontrolluara që importohen (përpara hedhjes ne treg dhe vënies në përdorim të tyre), që nuk janë objekt i markimit CE.
- Verifikim fillestar dhe periodik të instrumentëve matëse.
- Kontroll të subjekteve që prodhojnë, ambalazhojnë ose importojnë produkte të parapaketuara.
Miratimi i tipit të instrumenteve ligjërisht të kontrolluara:
Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë miraton tipin e instrumentit matës në përputhje me rregulloren e ministrit, kur ai plotëson kërkesat teknike dhe metrologjike të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për kërkesat teknike dhe metrologjike për instrumentet matëse ligjërisht të kontrolluara.
Verifikimi fillestar i instrumenteve matëse ligjerisht të kontrolluara:
Instrumentet matëse të vendosura në treg, që kanë miratim tipi, i nënshtrohen verifikimit fillestar përpara se të përdoren. Gjate verifikimit fillestar, kontrolli duhet të përcaktojë nëse:
- a) instrumenti matës është i tipit të miratuar dhe në përputhje me të;
- b) instrumenti i përket një kategorie të përjashtuar nga tipi i miratuar dhe, në këtë rast, nëse përmbush kërkesat teknike dhe funksionale
Verifikimi pasardhës i instrumenteve matëse ligjërisht të kontrolluara.
Verifikimi përiodik i instrumenteve matëse duhet të kryhet sipas intervaleve të verifikimit të percaktuara për tipet e ndryshme të instrumenteve matëse. Intervalet e ri-verifikimit parashikohen nga rregulloren e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë.
Instrumentet matëse që i nënshtrohen kontrollit metrologjik ligjor:
Në bazë të Ligjit Nr. 126, datë 15.10.2020 “Për Metrologjinë”, instrumentet ligjërisht të kontrolluara janë ata instrumente që përdoren për:
- Transaksionet zyrtare dhe ekonomike, mbrojtjen e shëndetit, mbrojtjen e ambientit, rendin publik dhe sigurinë teknike.
- Kontrollin e produkteve të para-paketuara dhe shisheve si enë matëse.
Kategoritë e instrumenteve matëse të cilat mbulohen nga metrologjia ligjore:
- Peshore të llojeve dhe kapaciteteve të ndryshme
- Gramarë të llojeve dhe kapaciteteve të ndryshme klasa M1, M2, M3
- Peshore automobilistike
- Masa vëllimore të llojeve dhe përmasave të ndryshme vëllimore
- Kontalitra të shitjes me shumice të karburantëve
- Taksimetra
- Manometra të paisjeve të fryrjes së gomave të automjeteve,
- Lloje të ndryshme produktesh të ngurtë dhe të lëngët.