Emërohet Drejtori i Përgjithshëm i DPM-së

Buletini Metrologjik Nr. 1, 2025
mars 4, 2025
Mbi pjesëmarrjen në trajnimin “Certifikimi i sistemit të kontrollit sasior të paketuesve të parapaketimeve me shenjë konformiteti (e)”
prill 4, 2025

Alkida Llakaj

DREJTOR I PËRGJITHSHËM

Alkida Llakaj, prej marsit 2025, mban detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë. Znj. Llakaj, ka një përvojë pune prej 14 vitesh në institucione të rëndësishme publike.

Me përfundimin e studimeve universitare, ajo u angazhua si pedagoge e jashtme pranë Departamentit të Menaxhimit, në Fakultetin e Ekonomisë, UT (2010-2013).

Për 7 vite ka punuar pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit, në Departamentin e Auditimit të Performancës dhe atë të Auditimit të Institucioneve Qendrore.  Gjatë kësaj përvoje profesionale ka ndjekur vazhdimisht trajnime të SIGMA, TAIEX dhe DG Budget lidhur me përmirësimin e performancës së qeverisjes publike; gjithashtu ka kryer një përvojë pune 6 mujore në Gjykatën Europiane të Audituesve (ECA) mbi politikat dhe praktikat e auditimit të fondeve të BE, në Luksemburg.

Prej vitit 2018 deri në mars 2025, znj. Llakaj ka mbajtur detyrën e drejtueses së Shërbimit të Monitorimit të Institucioneve të Pavarura në Kuvendin e Shqipërisë. Në këtë pozicion ajo ka drejtuar punën për mbështetjen administrative të komisioneve parlamentare në ushtrimin e funksionit mbikëqyrës dhe atë zgjedhës. Ndër detyrat kryesore të punës së saj ka qenë vlerësimi i analizave vjetore të veprimtarisë së 26 institucioneve të pavarura (IP), draftimi i projektrezolutave, vlerësimi i raportimeve periodike, ndjekja e mekanizmit ndërinstitucional për zbatimin e rekomandimeve, si dhe ndjekja e procedurave parlamentare e administrative për zgjedhjen e titullarëve/anëtarëve të IP të zgjedhur nga Kuvendi.

Gjatë kësaj përvoje pune është trajnuar dhe certifikuar për ushtrimin e kontrollit post-legjislativ dhe parandalimin e korrupsionit gjatë procesit ligjbërës.

Znj. Llakaj ka përfunduar studimet në degën “Administrim Biznesi” dhe ka një diplomë të dyfishtë nga Universiteti i New York-ut në Tiranë, si dhe nga State University of New York, Empire State College. Gjithashtu, është diplomuar MSc në degën “Politika dhe qeverisja në Europë”, pranë UT.

Aktualisht ndjek studimet e doktoraturës, mbi vlerësimin e impaktit dhe efektivitetit të mekanizmave të mbikëqyrjes publike.

Shpërndani në rrjete sociale: