Fjalori i termave më të përdorur

“Instrument matës” është çfarëdo pajisje apo sistem me funksione matëse.
“Metrologji” është shkenca e matjeve.
“Metrologji shkencore” është ajo pjesë e metrologjisë, e cila merret me realizimin, zhvillimin dhe mirëmbajtjen e etaloneve kombëtare të matjeve.
“Metrologji industriale” është pjesë e metrologjisë, me të cilën realizohet krahasimi i rezultateve të matjes.
“Metrologji ligjore” është pjesë e metrologjisë, e cila rregullohet me ligj dhe dispozita të tjera, për sigurimin e saktësisë dhe të besueshmërisë në rezultatet e matjes në fushat ku aplikohen instrumente matëse ligjërisht të kontrolluara.
“Matje” është seria e veprimeve për përcaktimin e vlerës së një madhësie.
“Njësi matjeje” është madhësia e caktuar, e pranuar me marrëveshje, për të shprehur në mënyrë sasiore madhësi të tjera të së njëjtës natyrë.
“Tipi i instrumentit matës” është një seri instrumentesh matëse, me funksion identik, bazuar në të njëjtin parim, që kanë të njëjtin projekt dhe që janë prodhuar nga i njëjti prodhues, në bazë të të njëjtit dokumentacion teknik dhe teknologjik.
“Etalon matjeje” është masë matjeje, instrument matës, material referues ose sistem matës i paracaktuar që të përcaktojë, të realizojë, të ruajë ose të riprodhojë një njësi ose më shumë vlera të një madhësie, për t’i transmetuar ato, me anë të krahasimeve, me instrumente të tjera matëse.
“Etalon kombëtar i matjeve” është një etalon i deklaruar nga Këshilli i Ministrave për të shërbyer në Republikën e Shqipërisë si një bazë për përcaktimin e vlerave të etaloneve të tjera të madhësisë përkatëse.
“Etalon referues” është një etalon që, përgjithësisht, ka cilësinë më të lartë metrologjike në një vend apo organizatë të dhënë, nga i cili rrjedhin matjet e bëra.
“Ruajtje e etalonit të matjes” janë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur karakteristikat metrologjike të etalonit të matjes, brenda kufijve të caktuar.
“Material referues” është një material mjaftueshmërisht homogjen dhe i qëndrueshëm, për një apo më shumë cilësi, i përdorur në kalibrim, për përcaktimin e vlerës së një materiali tjetër ose për sigurimin e cilësisë.
“Material referues i çertifikuar” është një material referues, i shoqëruar me dokumentacionin e lëshuar nga organizma autoritarë dhe në përputhje me procedurat e vlefshme, të përdorura për të shtuar vlera cilësore specifike me pasiguri dhe transmetueshmëri (gjurmueshmëri).
“Gjurmueshmëria” është cilësia e rezultatit të matjes ose vlera e etalonit të matjes, e arritur pas një serie zinxhiri krahasimesh me etalonet e përcaktuara të matjes, ndërkombëtare ose kombëtare, që kanë të gjitha një pasiguri dhe nivel besueshmërie të përcaktuar.
“Kalibrim” është tërësia e veprimeve që përcakton, në kushte të veçanta, marrëdhënien ndërmjet vlerave të treguara nga një instrument ose sistem matës, ose të vlerave të dhëna nga një masë materiale, si dhe të vlerave të njohura, korresponduese të instrumentit të matur.
“Verifikim” është konfirmimi nëpërmjet ekzaminimit dhe evidentimit, nëse janë plotësuar kërkesat specifike, tekniko-metrologjike.
“Verifikim i rregullt i një instrumenti matës” është një verifikim i kryer periodikisht dhe në përputhje me rregullat.
“Verifikim jashtë radhe i instrumentit matës” është një verifikim i kryer pas rimodelimit, eliminimit të mosfunksionimeve ose defekteve të tjera teknike (riparim) apo i kryer jashtë periudhës së verifikimit.
“Autorizim” është dhënia e së drejtës për të kryer shërbime të metrologjisë ligjore të instrumenteve matëse në sferën e detyrueshme, subjekteve publike dhe private, vendase ose të huaja, që kryejnë veprimtari në Republikën e Shqipërisë.
“Çertifikim” është veprimtaria, nëpërmjet së cilës një palë e tretë dhe e pavarur dëshmon zyrtarisht se një produkt, proces apo shërbim është në përputhje me kërkesat e përcaktuara në udhëzimet metodike të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, ose në
përputhje me standardet e përcaktuara.
“Parapaketim” është kombinimi i një produkti dhe një paketimi individual. Një produkt është i paketuar, kur ai vendoset në parapaketim të çfarëdo natyre qoftë, pa qenë blerësi prezent dhe sasia e produktit, që përmbahet në parapaketim, ka një vlerë të paracaktuar dhe nuk mund të ndryshohet pa u hapur parapaketimi ose pa iu nënshtruar një modifikimi të perceptueshëm.
“Shishe, si enë matëse” është çfarëdo kontejneri i bërë prej qelqi ose ndonjë materiali tjetër, që ka një fortësi dhe qëndrueshmëri të tillë, për të ofruar të njëjtat garanci metrologjike si qelqi, i taposur apo i projektuar për t’u taposur, që destinohet për magazinim, transport ose shpërndarje të lëngjeve e që ka karakteristika metrologjike (unaza dhe karakteristika të projektimit dhe uniformitet të prodhuesit) të tilla, që mund të përdoren si shishe matëse, kur ato mbushen deri në një nivel specifik ose një përqindje të specifikuar të kapacitetit të tyre deri në buzë dhe përmbajtja e tyre mund të matet me një saktësi të mjaftueshme dhe që ka kapacitet nominal nga 0,05 deri në 5 litra brenda.
“Inspektim” është shqyrtimi i një produkti, shërbimi, procesi ose sistemi matës, me anë të përcaktimit të përputhjes së tyre me kërkesat specifike ose në bazë të një gjykimi profesional, me kërkesa të përgjithshme.
“Matje zyrtare” është një matje e kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë ose nga personi juridik i autorizuar (më poshtë ekzekutues i matjes zyrtare), në përputhje me vendimin administrativ për autorizim. Matja zyrtare përdoret si evidencë e besueshme në procedurat dhe vendimmarrjet e organizmave qeveritarë apo të gjykatave.
“Miratim i tipit të instrumenteve matëse” është pranimi i këtyre instrumenteve për verifikim fillestar dhe, kur kjo e fundit nuk kërkohet, autorizimi për t’i hedhur ato në treg dhe/ose për t’i vënë në shërbim.
“Verifikim fillestar i instrumenteve matëse” është kontrolli i një instrumenti të ri apo të riparuar dhe vërtetimi i përputhjes së instrumentit matës me tipin e miratuar.
“Lejim për hedhje në treg ose vënie në shërbim të instrumenteve matëse ligjërisht të kontrolluara” është leja e dhënë nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë për hedhjen në treg ose vënien në shërbim të instrumenteve matëse ligjërisht të kontrolluara, të cilat nuk kanë shenjën e verifikimit fillestar.