Kontrolli ligjor i instrumenteve matës në Shqipëri ka origjinën e dokumentuar që në shekullin e XVII, me aktivitet kryesor kontrollin e instrumenteve matës që përdoreshin në tregti. Metrologjia moderne u vendos me Ligjin Bashkiak (1921), Ligjin mbi Sistemin Metrik (1922), si dhe Ligjin mbi Masat dhe Sistemin Matës (1928).
Megjithëse këto ligje ishin moderne për kohën, mungesa e organizimit dhe infrastrukturës së përshtatshme nuk mundësoi zbatimin praktik të tyre. Zgjidhja e këtij problemi u mundësua në vitin 1946 me themelimin e Drejtorisë të Kontrollit të Instrumenteve Matëse. Keshtu u mundësua krijimi për herë të parë i një strukture përgjegjëse për peshat dhe masat, por infrastruktura laboratorike për kryerjen e verifikimit të instrumenteve matës, të përdorur në prodhim apo tregti, ishte e pamjaftueshme.
Ndërkohë sigurimi i gjurmueshmërise së matjeve deri në nivelin më të lartë ndërkombëtar mbeti problem për një periudhë relativisht të gjatë. Në periudhën e komunizmit, ashtu si pothuajse në të gjithë vendet e Evropës lindore, metrologjia nënkuptonte vetëm sferën e detyruar, pra metrologjinë ligjore. Pjesërisht gjurmueshmëria e matjeve sigurohej në mënyre të pavarur nga ish-ndërmarrjet industriale që gjithsesi ishin pronë shtetërore. Mungesa e infrastrukturës, informacionit dhe komunikimit me strukturat rajonale dhe më gjërë të metrologjisë në ato vite ishin faktorët kryesore që penguan zhvillimin e metrologjisë. Këto probleme parësore u zgjidhën pjesërisht me themelimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë dhe Kalibrimit (sot DPM), në vitin 2003.
Që prej këtij viti kanë ndodhur një sërë ndryshimesh dinamike që janë reflektuar në dispozitat ligjore dhe infrastrukturën zbatuese.
Sot Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë është përgjegjëse për metrologjinë shkencore, industriale dhe metrologjinë ligjore, operon në varësi të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe zhvillon aktivitetin e saj në mbështetje të ligjit Nr. 126, datë 15.10.2020 “Për metrologjinë”, si dhe të akteve nënligjore të dala në zbatim të tij.