Sektori i produkteve të parapaketuara
Kontolli ligjor ndaj produkteve të parapaketuara është kontrolli që ushtrohet në të gjitha fazat e prodhimit, shperndarjes dhe tregtimit të produkteve të parapaketuara për të garantuar që sasia reale në parapaketim të përputhet me sasinë e deklaruar në ambalazhin e saj.
Kontrolli i produkteve të parapaketuara realizohet:
• Në ambientet e prodhuesit të produkteve të parapaketuara (në linjat e paketimit) nëpërmjet metodës së kontrollit statistikor, periodikisht në intervale kohe të përcaktuara.
• Në ambientet e importuesit (magazinat) nëpërmjet metodës së kontrollit statistikor, periodikisht në intervale kohe të përcaktuara.
• Në ambientet e shperndarësit (magazinat e shumicës) nëpërmjet metodës së kontrollit statistikor në menyrë selektive rastesore.
• Në ambientet e tregtarit me pakicë (markete, dyqane, etj) nëpëmjet zgjedhjes së mostrave në mënyrë selektive rastësore.
Ne zbatim te Ligjit Nr. 9875, datë 14.02.2008 “Për metrologjinë”, neni 37, mallrat e paketuara dhe shishet, si enë matëse, mund hidhen në treg dhe të ofrohen për shitje, vetëm nëse plotësojnë kërkesat metrologjike të përshkruara sipas VKM në fuqi dhe kanë mbishkrimet dhe shenjat e përshkruara deri në kohën e blerjes.
Prodhuesi ose importuesi është përgjegjës për përputhshmërinë e produkteve të paketuara dhe të shisheve enë matëse me masat e përcaktuara në dispozitat ligjore. Të gjitha subjektet prodhuese ose importuese të produkteve të parapaketuara dhe shisheve enë matëse, duhet të rregjistrojnë aktivitetin e prodhimit dhe importimit të parapaketimeve dhe shisheve enë matëse në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë, sipas formularit përkatës .
Prodhuesi ose importuesi, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë, kur vihet re se parapaketimet ose shishet e hedhura në treg prej tij nuk përmbushin kërkesat, është i detyruar të marrë masat e duhura për mbrojtjen e konsumatorit. Në rast mos zbatimi të kërkesave ligjore, Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë merr masa administrative në përputhje me ligjin.
Prodhuesi i parapaketimeve me shenjë konformiteti duhet të ndertoje dhe zbatojë sistemin e tij të kontrollit të sasisë neto të paketimeve ose sistemin e kontrollit të vëllimit neto të shisheve të prodhuara. Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë kryen vëzhgimin në vend të sistemit të kontrollit sasior të prodhuesve që kanë bërë kërkesë për miratim të sistemit të kontrollit sasior dhe marjes së shënjës së konformitetit. Pas plotësimit të kërkesave ligjore dhe shqyrtimit nga trupa kompetente e çertifikimit, bëhet miratimi dhe monitorimi i sistemit.
Paketuesi duhet të demostrojë aftësinë për kontrollin sasior, nëpërmjet një personeli kompetent të caktuar për këtë detyrë dhe njohjes së procedurave të kontrollit statistikor të produkteve të parapaketuara, përpara se ky produkt të pajiset me shënjën shqiptare “c” e vlerësimit të konformiteti të parapaketimeve.
Vendosja e shenjës së konformitetit në parapaketime nuk është e detyrueshme, por vendosja e shenjës së konformitetit në parapaketime të cilat nuk plotësojne kërkesat e përshkruara, përbën shkelje të ligjit “Për metrologjinë” dhe ndëshkohet me gjobë.
Shenja shqiptare “c” e vlerësimit të konformitetit të parapaketimeve ka për qëllim:
• Të sjellë besueshmëri në deklarimin e sasisë nominale të produktit të parapaketuar
• Të promovojë deklarimin uniform të sasisë nominale
• Të lehtësojë tregtimin e produkteve të parapaketuara dhe te rrisë efiçencën e kontrollit nga autoritetet përkatëse
• Të ketë shenjën dalluese të mbushjes së drejtë të sasisë të përcaktuar në etiketë