Produktet e parapaketuara

Sektori i produkteve të parapaketuara

Kontrolli ligjor ndaj produkteve të parapaketuara është kontrolli që ushtrohet në të gjitha fazat e paketimit/prodhimit, shpërndarjes dhe tregtimit të produkteve të parapaketuara për të garantuar që sasia reale në parapaketim të përputhet me sasinë e deklaruar në ambalazhin e tij.

Kontrolli i produkteve të parapaketuara realizohet:

  • Në ambientet e paketuesit të produkteve të parapaketuara (në linjat e paketimit) nëpërmjet metodës së kontrollit statistikor, periodikisht në intervale kohe të përcaktuara.
  • Në ambientet e importuesit (magazinat) nëpërmjet metodës së kontrollit statistikor, periodikisht në intervale kohe të përcaktuara.
  • Në ambientet e shperndarësit (magazinat e shumicës) nëpërmjet metodës së kontrollit statistikor në mënyrë selektive rastësore.
  • Në ambientet e tregtarit me pakicë (markete, dyqane, etj) nëpëmjet sondazheve.

 

Në zbatim te Ligjit nr. 126, datë 15.10.2020 “Për metrologjinë”, neni 35 dhe neni 36, produktet e paketuara dhe shishet, si enë matëse, mund hidhen në treg dhe të ofrohen për shitje, vetëm nëse plotësojnë kërkesat metrologjike të përshkruara dhe kanë mbishkrimet dhe shenjat e përshkruara deri në kohën e blerjes, sipas VKM nr. 349, datë 16.6.2021 “Për miratimin e rregullores për shishet enëmatëse” dhe VKM nr. 443, datë 22.7.2021 “Për miratimin e rregullores për parapaketimet”.

 

Paketuesi/prodhuesi ose importuesi është përgjegjës për përputhshmërinë e produkteve të paketuara dhe të shisheve enë matëse me masat e përcaktuara në dispozitat ligjore.
Paketuesi dhe/ose prodhuesi i parapaketimeve me shenjë konformiteti duhet të ndërtojë dhe zbatojë sistemin e tij të kontrollit të sasisë neto të paketimeve ose sistemin e kontrollit të vëllimit neto të shisheve të prodhuara. Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë kryen vëzhgimin në vend të sistemit të kontrollit sasior të paketuesve që kanë bërë kërkesë për miratim të sistemit të kontrollit sasior dhe marjes së shënjës së konformitetit, sipas Udhëzimit nr. 1, datë 15.01.2021 të Ministrit të MFE-së. Pas plotësimit të kërkesave ligjore dhe shqyrtimit të tyre nga struktura e parapaketimeve, bëhet miratimi, monitorimi i sistemit dhe regjistrimi i paketuesit të parapaketimeve. Paketuesi duhet të demostrojë aftësinë për kontrollin sasior, nëpërmjet një personeli kompetent të caktuar për këtë detyrë dhe njohjes së procedurave të kontrollit statistikor të produkteve të parapaketuara, përpara se ky produkt të pajiset me shënjën e vlerësimit të konformiteti të parapaketimeve.

Vendosja e shenjës së konformitetit në parapaketime nuk është e detyrueshme, por vendosja e shenjës së konformitetit në parapaketime të cilat nuk plotësojne kërkesat e përshkruara, përbën shkelje të ligjit “Për metrologjinë” dhe ndëshkohet me masë administrative.

 

Shenja e vlerësimit të konformitetit të parapaketimeve ka për qëllim:

  • Të sjellë besueshmëri në deklarimin e sasisë nominale të produktit të parapaketuar;
  • Të promovojë deklarimin uniform të sasisë nominale;
  • Të lehtësojë tregtimin e produkteve të parapaketuara dhe te rrisë efiçencën e kontrollit nga autoritetet përkatëse;

 

Parapaketimet

Shishet Enematese