Metrologjia është shkenca e matjeve dhe përbën një nga komponentët e infrastrukturës së cilësisë të nevojshme në çdo vend të zhvilluar pasi ka një ndikim të rëndësishëm tek standardet, rregulloret teknike dhe vlerësimi i konformitetit dhe luan rol themelor në mbrojtjen e konsumatorëve dhe rritjen e cilesisë së jetës të qytetarëve.
Duke qëne shkenca e matjeve dhe e zbatimit të tyre, metrologjia përfshin tre fushat e njohura si metrologjia shkencore, metrologjia industriale dhe metrologjia ligjore.
Metrologjia shkencore merret me organizmin dhe zhvillimin e etaloneve (standardeve) të matjeve dhe mirëmbajtjen e tyre (niveli më i lartë).
Metrologjia industriale konsiston në zbatimin e shkencës së matjeve në industri, procesin e prodhimit dhe testimit për të siguruar funksionimin e përshtatshëm të instrumenteve të matjeve dhe cilësi në matjet e kryera.
Metrologjia ligjore lidhet me aktivitetin që rrjedh nga fushat e rregulluara për njësitë e matjeve, metodat dhe instrumentet e matjeve në transaksionet tregtare, mbrojtjen e konsumatorëve, mbrojtjen e shëndetit, sigurisë publike dhe mjedisit.
Sistemi kombëtar i metrologjisë në Republikën e Shqipërisë drejtohet dhe koordinohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë dhe përfshin laboratorët e etaloneve kombëtare, laboratorët e kalibrimit, laboratorët e testimit dhe personat juridikë të autorizuar për kryerjen e aktivitetit të metrologjisë ligjore. Bazat e këtij sistemi janë përcaktuar në ligjin nr. 126, datë15.10.2020 “Për metrologjinë” si dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.
Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë është person juridik, publik, e specializuar për metrologjinë, me qendër në Tiranë dhe e organizuar në 4 sektorë shërbimi, në varësi të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, dhe zhvillon aktivitetin e saj në mbështetje të ligjit Nr. 126, datë15.10.2020 “Për metrologjine”, si dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij.
DPM është institucion i specializuar që zotëron aftësitë dhe ekspertizën e nevojshme për t’u përdorur si referencë për të gjitha transmetueshmëritë e matjeve në Shqipëri.
Misioni i Drejtorise së Pergjithshme të Metrologjisë është:
-Të ruajë dhe përdorë etalonet kombëtare të njësive të matjeve;
-Të mbrojë konsumatorët nëpërmjet organizimit të kontrollit të instrumenteve matës në fushat e transaksioneve zyrtare dhe tregtare, mbrojtjen e shëndetit, mjedisit dhe sigurisë teknike, si dhe kontrollin sasior të parapaketimeve;
-Të ofrojë shërbime të kalibrimit prodhuesve dhe përdoruesve të mjeteve matëse për të qenë konkurues në tregun e brendshëm dhe të jashtëm.
Politika e aktivitetit të DPM-së është zhvillimi i sistemit kombëtar të metrologjisë i harmonizuar me standardet evropiane për të plotësuar nevojat e vendit, harmonizimi i proçedurave dhe rregullave teknike te vlerësimit të matjeve me qëllim eliminimin e barrierave teknike për lëvizjen e lirë të mallrave, si dhe rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve shqiptarë.
Në zbatim të ligjit nr. 126, datë15.10.2020“Për metrologjinë”, Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë realizon detyrat dhe funksionet në fushën e metrologjisë në lidhje me:
- zbatimin e strategjisë kombëtare të metrologjisë;
- përmirësimin e legjislacionit për metrologjinë;
- mban disa nga standardet kombëtare të matjes në laboratorët e saj;
- monitoron mënyrën e mbajtjes, ruajtjes dhe përdorimit të standardeve kombëtare të matjeve;
- kryen kontrollin ligjor të instrumenteve matëse;
- kryen kontrollin sasior te produkteve te parapaketuara dhe shisheve, si enë matëse;
- autorizon persona juridikë për verifikimin e mjeteve matëse, ekspertizën metrologjike, si dhe persona fizikë apo juridikë për riparimin e instrumenteve matëse;
- shërben si referencë kombëtare për sistemin kombëtar të akreditimit të laboratorëve të kalibrimit për aftësitë dhe etalonet e matjeve;
- përfaqëson Republikën e Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare të metrologjisë