Në kuadër të bashkëpunimit me strukturat e WELMEC në datat 13 – 14 Mars 2019 në Zyrën e Sigurisë dhe Standardeve për Produktin në TEDDINGTON, Angli, u realizua takimi i Grupit të Punës WELMEC 6 “Për Parapaketimet”. Grupi i punës WELMEC 6 merret me aplikimin uniform të direktivave dhe rregulloreve lidhur me produktet e parapaketuara, sasitë nominale, paketimin dhe zgjedhjen e mostrave. Gjithashtu ky grup ka ndërtuar edhe një platformë për shkëmbimin e informacionit për të gjitha çështjet që lidhen me shitjen e produkteve të parapaketuara nga sasia sipas legjislacionit europian. Ai i jep këshilla komisionit për aspekte që duhet të merren në konsideratë në legjislacionin e ri dhe ekzistues në lidhje me parapaketimet, si dhe i jep mendime departamenteve kompetente, paketuesve dhe importuesve për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me produktet e parapaketuara.
Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë (DPM) u përfaqësua në këtë takim nga përgjegjësja e sektorit të parapaketimeve znj. Valdete Buça, e cila është person kontakti në Grupin e Punes Nr. 6 të WELMEC. Gjatë takimit 2-ditor u diskutuan draftet e rishikimit të guidave të WELMEC 6.7 “Kontrolli i tregut” dhe WELMEC 6.8 “Pesha e thatë” si dhe çështjet teknike në lidhje me deklarimin e sasisë nominale në mënyra të ndryshme për produktet që aplikojnë shenjën–e të “multipaketimeve”. Gjithashtu në këtë takim u demostruan proçedura të ndryshme për testimin e produkteve me ngrirje, konkretisht për produktin, që tregtohet i ngrirë, brokoli.